Oda Ekonomike e Malit të Zi (PKCG) fton të interesuarit të aplikojnë për pjesëmarrje në trajnimin që do të realizohet nga 1 deri më 31 tetor si pjesë e projektit “Aftësi për Punësim të Qëndrueshëm në Rajonin Ndërkufitar të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës – Pa Kufij! (NO BORDERS)”.

Siç është bërë e ditur nga PKCG, të drejtën (mundësinë) për pjesëmarrje e kanë të papunët (18-35 vjeç) dhe gratë nga Andrijevica, Berane, Bijelo Polje, Gusinje, Kolašin, Petnjica, Mojkovac, Plav, Podgorica, Rožaje, Zeta dhe Tuzi, si dhe nxënësit e vitit të fundit të shkollave të mesme profesionale.

“Projekti është pjesë e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Interreg-IPA Mali i Zi – Kosova 2014-2020, zbatohet në partneritet me dy odat ekonomike kombëtare, OJQ ETRI dhe Qendra Rajonale e Biznesit Berane, dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian. Qëllimi është rritja e nivelit të punësueshmërisë së të rinjve dhe grave përmes përmirësimit të njohurive dhe aftësive të nevojshme për punësim”, thuhet në thirrjen e PKCG.

Nga aplikimet e pranuara, siç kanë sqaruar, do të përzgjidhen 11 pjesëmarrës për trajnimin online njëmujor të paguar për zhvillimin e ideve me qëllim nisjen e biznesit të tyre.

“Ajo do të përfshijë punëtori dhe mentorim individual në fushat: çështjet ligjore dhe regjistrimi i biznesit, menaxhimi financiar/kontabiliteti, planifikimi strategjik dhe modelet e biznesit, marketingu dhe shitjet dhe marketingu dixhital. Me mbështetjen e trajnerëve dhe mentorëve, pjesëmarrësit do të zhvillojnë plane biznesi deri në fund të trajnimit dhe do të fitojnë njohuritë e nevojshme për realizimin e tij, gjegjësisht për nisjen e biznesit të tyre. Tre idetë/planet më të mira të biznesit do të marrin gjithashtu mbështetje financiare, në shumën prej 500, 1000 dhe 2000 euro”, kanë deklaruar nga Oda.

Aplikimet janë të hapura deri më 20 shtator dhe formulari gjendet në link.

Më shumë rreth thirrjes mund të shikohet në www.komora.me.

Share.
Exit mobile version