Ministria e Zhvillimit Ekonomik njofton se Regjistri elektronik i zejtarëve, i paraparë me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Zejtari të miratuara në korrik 2025, do të vihet në funksion më 1 mars 2026.

Ky regjistër do të shërbejë si një bazë publike të dhënash e administruar elektronikisht, ku do të përfshihen të gjithë zejtarët që ushtrojnë veprimtari në territorin e Malit të Zi. Qëllimi i tij është krijimi i një evidence të vetme, të centralizuar dhe të përditësuar rregullisht në fushën e zejtarisë.

Të gjithë zejtarët që operojnë në Mal të Zi janë të detyruar që brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të Regjistrit të paraqesin kërkesën për regjistrim pranë Odës së Zejtarëve të Malit të Zi.
Procesi i regjistrimit është konceptuar të jetë i thjeshtë, i strukturuar qartë dhe plotësisht në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Me funksionalizimin e Regjistrit do të sigurohen:

  • një pasqyrë e plotë dhe transparente e zejtarëve në nivel kombëtar,
  • të dhëna të sakta dhe të përditësuara për regjistrimet, ndryshimet dhe fshirjet,
  • forcim i mbështetjes institucionale për sektorin e zejtarisë,
  • përmirësim i klimës së biznesit dhe rritje e sigurisë juridike për zejtarët

Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Oda e Zejtarëve të Malit të Zi do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë për të mbështetur zejtarët dhe për të garantuar zbatimin e qëndrueshëm të dispozitave ligjore.

Të gjitha informacionet lidhur me procedurën e regjistrimit mund të gjenden në portalin zyrtar të aplikimit: http://registarzanatlija.gov.me/
Në këtë portal është publikuar gjithashtu një udhëzues i detajuar për përdoruesit me hapa të qartë për paraqitjen e aplikimit në mënyrë të thjeshtë dhe efikase.

Burimi: Registar zanatlija počinje sa radom 1. marta 2026. godine

Share.
Exit mobile version